Trump e priti Putinin në Alaskë, pa marrëveshje konkrete – mesazhet e fqinjësisë dominojnë samitin

Takimi i gjatë rreth 170 minutash mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, përfundoi pas mesnate (sipas orës evropiane), duke lënë pas një sërë reagimesh në mediat botërore.
Edhe pse dy liderët u shfaqën me disponim të mirë ndaj njëri-tjetrit, Trump u kritikua për qasjen e tij miqësore ndaj Putinit – duke e lënë të flasë i pari dhe duke mos arritur një marrëveshje konkrete, veçanërisht për armëpushimin që kishte shpresuar.
Në plan të dytë të diskutimeve u vu theksi mbi mesazhet simbolike që u përcollën gjatë samitit. Putin, sapo mori fjalën pas takimit, foli për afërsinë territoriale mes dy vendeve, duke e cilësuar Amerikën si një “fqinj të ngushtë”.
“Negociatat u zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe respekti të ndërsjellë. Dua të falënderoj homologun tim amerikan për ftesën që të takoheshim në Alaskë. Ka kuptim që jemi këtu, sepse vendet tona, edhe pse të ndara nga oqeanet, janë fqinj. Kur dola nga avioni, i thashë Trumpit: ‘Mirëdita, fqinj i dashur’. Ne jemi të ndarë nga ngushtica e Beringut, me dy ishuj që ndajnë vetëm katër kilometra. Pra, jemi fqinj të ngushtë, dhe kjo është fakt”, tha Putin.
Samiti, i mbajtur nën sloganin “Në ndjekje të Paqes”, përfundoi pa një dokument zyrtar, duke lënë hapur pyetjen nëse dy fuqitë do të arrijnë në të ardhmen një ujdi konkrete për çështjet e nxehta ndërkombëtare.