Kosova

Punëtorët e RTK-së paralajmërojnë protestë për shkak të vonesës së pagave

Një grup punëtorësh të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të cilët nuk janë të organizuar në asnjë sindikatë, kanë paralajmëruar një protestë paqësore për të hënën, më 18 gusht 2025, për shkak të vonesës së pagave për muajin korrik.

Protesta do të mbahet nga ora 09:30 deri në 10:30, para objektit të RTK-së në rrugën “Xhemail Prishtina” në Prishtinë. Organizatorët theksojnë se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të ndikojë në rendin publik.

“Kërkesa jonë është e vetme dhe e qartë: ekzekutimi i menjëhershëm i pagave”, thuhet në njoftimin e punëtorëve.

Kësaj proteste i është bashkuar edhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), e cila bën thirrje për mobilizim të përgjithshëm të punëtorëve dhe e konsideron këtë veprim si të domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

SPERTK rikujton se protesta e parë për këtë çështje është mbajtur më 6 gusht dhe paralajmëron se aktivitetet sindikale do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave. “Ky angazhim dëshmon se veprimet tona kanë të vetmin qëllim sigurimin e pagave, jo interesa personale”, thekson sindikata.

Sindikata gjithashtu njofton se në rast se pagat ekzekutohen para datës së protestës, ajo do të anulohet dhe do të pasojë një njoftim zyrtar për këtë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button