Kosova

RTK siguron ndihmë financiare nga Qeveria deri në konstituimin e Kuvendit

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundoqi, ka njoftuar se Radiotelevizioni i Kosovës ka arritur një modalitet ligjor për të marrë ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës deri në konstituimin e Kuvendit.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Hundoqi bëri me dije se kërkesa zyrtare për kredi është dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe po trajtohet me prioritet. Ai shprehu pritshmërinë që financimi të realizohet shumë shpejt, duke mundësuar vazhdimin normal të punës së RTK-së.

“Për shkak të pamundësisë për të komunikuar drejtpërdrejt me themeluesin tonë, Kuvendin e Kosovës, ne iu kemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilën kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë për tejkalimin e gjendjes. Gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar alternativa të shumta, derisa kemi arritur bashkërisht te një modalitet i ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituimin e Kuvendit”, ka shkruar Hundoqi.

Ky hap pritet të stabilizojë financat e RTK-së dhe të sigurojë funksionimin normal të institucioneve mediatike deri në krijimin e institucioneve të reja të Kuvendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button