Protestat në Serbi: Thirrje për tubim të ri sonte në Beograd

Studentët protestues në Serbi kanë paralajmëruar një protestë të re që do të mbahet sonte në orën 19:30. Njoftimi u bë përmes rrjeteve sociale me mesazhin “Sonte qëlloni në cepa, 19:30”, ndërsa organizatorët thanë se detaje të tjera do të bëhen publike së shpejti.
Një natë më parë, në dhjetëra qytete të Serbisë dhe në disa lokacione në Beograd u zhvilluan protesta kundër Qeverisë serbe me moton “Serbi, zgjohu”. Në kryeqytetin serb dhe në Novi Sad u shënuan përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku u raportua për të plagosur nga të dyja palët.
Në Beograd, policia vendosi kordonë të xhandarmërisë për të ndarë protestuesit nga mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Dy grupet shkëmbyen ofendime dhe hodhën gjësende ndaj njëri-tjetrit, ndërsa policia u përpoq të parandalonte përshkallëzimin e dhunës. Një protestues u arrestua pranë Kuvendit të Serbisë, ku u përdor gaz lotsjellës dhe top zanor.
Përplasje të ngjashme ndodhën edhe në Novi Beograd, ku protestuesit hodhën sende drejt policisë. Në Novi Sad, para zyrave të SNS-së, tensionet u rritën pasi nga selia e partisë u hodhën mjete piroteknike drejt protestuesve, duke shkaktuar thyerje dritaresh. Ministria e Brendshme serbe njoftoi se një polic u plagos gjatë një “sulmi të protestuesve” ndaj selisë së SNS-së në rrugën Strazhillovska.
Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po vazhdojnë prej më shumë se tetë muajsh. Ata kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave pas shembjes së një strehimi prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Në anën tjetër, mbështetësit e pushtetit kanë ngritur tenda para Parlamentit në Beograd, duke bllokuar një nga rrugët kryesore të qytetit. Ata vetëquhen “studentë që duan të mësojnë” dhe thonë se po reagojnë ndaj protestave masive kundër Qeverisë.