Eksperti: Marrëveshja SHBA–Rusi për Krimenë, e paligjshme pa pëlqimin e Ukrainës

E drejta ndërkombëtare nuk lejon që dy shtete të bëjnë marrëveshje në dëm të një të treti, thekson profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Ruhr të Bochumit, Pierre Tilberger. Deklarata e tij vjen pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump në prill, se kishte rënë dakord “në parim” me Vladimir Putinin për një traktat paqeje, ku përcaktohet që gadishulli i Krimesë t’i përkasë Rusisë.
Sipas Tilberger, pa pëlqimin e Ukrainës një marrëveshje e tillë është “ligjërisht e paimagjinueshme” dhe do të shkelte sovranitetin territorial, si dhe ndalimin e përdorimit të forcës. Ai rikujton se Krimea dhe katër rajonet ukrainase të pushtuara – Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson – i përkasin ligjërisht Ukrainës, pavarësisht kontrollit de facto të Rusisë.
Referendumet e mbajtura nga Rusia në këto territore në vitet 2014 dhe 2022 konsiderohen të paligjshme nga ekspertët dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pasi u zhvilluan në kushte lufte dhe presioni ushtarak. Në korrik 2025, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga Rusia në territoret e pushtuara.
Rusia justifikon aneksimet me të drejtën për vetëvendosje, por Tilberger sqaron se kjo nuk përfshin automatikisht shkëputjen nga shteti amë, përveç rasteve të shtypjes së rëndë sistematike – çka, sipas tij, nuk ka ndodhur nga ana e Ukrainës.
Ai pranon se, në teori, Ukraina mund të heqë dorë nga territoret e pushtuara nëse qeveria e saj e bën këtë në mënyrë të ligjshme dhe vullnetare, pa presion apo kërcënim. Por, duke pasur parasysh luftën dhe presionet ndërkombëtare, ai e konsideron të diskutueshme mundësinë e një vendimmarrjeje të lirë nga Kievi.
Kushtetuta e Ukrainës kërkon referendum gjithëpopullor për ndryshimin e kufijve shtetërorë dhe mund të kërkojë ndryshime kushtetuese, pasi përmend shprehimisht katër rajonet e pushtuara si pjesë të saj.
Tilberger thekson se çdo zgjidhje paqësore duhet të marrë parasysh jo vetëm ligjin ndërkombëtar, por edhe vullnetin e popullsisë që jeton në territoret e diskutuara.