Astronomja shqiptare Pranvera Hyseni nderohet me çmim prestigjioz në SHBA

Astronomja shqiptare nga Kosova, Pranvera Hyseni, ka shënuar një arritje të veçantë në Universitetin e Kalifornisë, “Santa Cruz”, duke fituar çmimin vjetor për propozimin më të mirë të doktoraturës në Departamentin e Shkencave Planetare.
Ky nderim i jepet vetëm një herë në vit për projektin kërkimor më premtues dhe shoqërohet me një grant prej 3,000 dollarësh. Ai konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme akademike në fushën e astronomisë planetare.
Studimet e Hysenit fokusohen tek asteroidët dhe trupat e vegjël të Sistemit Diellor, sidomos ata që përmbajnë ujë dhe përbërje organike. Ajo hulumton proceset e transformimit të materialeve dhe kripërave që përmbajnë azot, duke kombinuar eksperimentet laboratorike me vëzhgime teleskopike dhe modelime teorike. Rezultatet pritet të ndihmojnë në kuptimin e shpërndarjes së ujit dhe mundësisë së jetës në fazat e hershme të sistemit tonë diellor.
“Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi se pasioni dhe kureshtja për shkencë nuk njohin kufij gjeografikë,” tha Hyseni, duke falënderuar komisionin vlerësues dhe kolegët për mbështetjen.
Suksesi i saj përbën një tjetër moment të rëndësishëm për shkencën kosovare dhe një frymëzim për të rinjtë që synojnë karrierë në fushat STEM.