Policia ndalon veturë pa targa në Leposaviç, person i dyshuar kërcënon me armë dhe më pas paraqitet vetë në polici

Dje pak para orës 15:00, në fshatin Vuqe të komunës Leposaviç, Policia Kufitare ka ndaluar një veturë tip Golf që po lëvizte pa targa. Gjatë kontrollit, dy persona u kërkuan të dalin nga automjeti, por njëri prej tyre, duke shfrytëzuar terrenin, u largua.
Policia nisi ndjekjen, dhe pasi personi ndaloi, nxori një objekt nga brezi dhe e drejtoi ndaj policëve. Një prej tyre qëlloi me armë në drejtim të tij, por i dyshuari arriti të ikë. Më vonë, ai u paraqit vetë në polici së bashku me avokatin e tij, ku u konstatua se të dy ishin të palënduar.
Hetimet rreth këtij rasti janë duke u zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) me autorizim të Prokurorit të Shtetit. Personi i dyshuar është liruar dhe ndaj tij është shqiptuar tiketë për mos posedim të patentës së shoferit dhe mospërfillje të urdhrave të ligjshëm.