Kosova
Kryesore

Zbulim i rrallë në Ulpianë: Dy mbishkrime unike nga perandori Justinian

Në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” është bërë një zbulim historik i jashtëzakonshëm – arkeologët kanë gjetur për herë të dytë një mbishkrim të vetë perandorit Justinian, i cili këtë herë tregon saktësisht vitin e rindërtimit të qytetit.

Profesori francez Christophe Goddard, që drejton ekipin e arkeologëve francez, italianë dhe kosovarë, tha për KosovaPress se ky është një moment unik për historinë e qytetit antik. Para dy vitesh u zbulua mbishkrimi i parë, që datonte rindërtimin e qytetit mes viteve 535 dhe 545 pas Krishtit. Zbulimi i dytë, i bërë këtë vit, përcakton me saktësi periudhën janar–prill të vitit 545, kur është rindërtuar bazilika e madhe në “Justiniana Secunda”.

Qyteti “Justiniana Secunda”, i ndërtuar rreth një kilometër nga vendbanimi origjinal i Ulpianës pas tërmetit të vitit 518, ka një sipërfaqe prej 19 hektarësh dhe në qendër mban një kishë të madhe kristiane, 79 metra e gjatë dhe 23 metra e gjerë – ndër më të mëdhatë në qytetet provinciale të kohës.

“Është e jashtëzakonshme të gjesh një mbishkrim të Justinianit – por të gjesh dy në të njëjtën ndërtesë është e pabesueshme. Kjo konfirmon rëndësinë e qytetit dhe lidhjen e fortë që Justiniani kishte me këtë krahinë,” u shpreh Goddard.

Projekti i gërmimeve, që ka nisur në vitin 2017, financohet nga Bashkimi Evropian, Ministria e Jashtme e Francës, Ministria e Kulturës e Kosovës dhe mbështetja e Qeverisë së Kosovës për blerjen e tokës ku ndodhen gërmimet.

Arkeologu Ilir Culaj tha se ky është një bashkëpunim ndërkombëtar që jo vetëm ndriçon historinë e Ulpianës dhe Justiniana Secunda, por edhe trajnon studentët e rinj të antropologjisë përmes programeve praktike në terren.

Ky zbulim i dy mbishkrimeve nga vetë Justiniani vlerësohet si rast i rrallë edhe në botën romake, duke e vendosur Ulpianën në hartën e zbulimeve më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button