Rama publikon pamjet e shembjes së një ndërtese pa leje në Radhimë: “Do ta çojmë deri në fund betejën”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë mëngjes lidhur me aksionin më të fundit kundër ndërtimeve pa leje, duke shpërndarë pamjet e shembjes së një ndërtese shumëkatëshe në Radhimë, e ndërtuar në kundërshtim me ligjin.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi vendosmërinë për të vijuar pa kompromis luftën ndaj ndërtimeve të paligjshme, duke e cilësuar këtë përballje si domosdoshmëri për mbrojtjen e hapësirave të përbashkëta dhe rivendosjen e rendit ligjor në zhvillimin urban.
“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë,” – shkroi Rama.
Ky aksion është pjesë e operacioneve të nisura nga autoritetet për të ndalur dhe penalizuar ndërtimet që shkelin ligjin në zonat bregdetare dhe urbane të vendit.