
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është prononcuar sot për media lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se përgjegjësia për bllokimin bie mbi partitë e ish-opozitës.
Ai ka kujtuar se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë se marrëveshjet për konstituimin e Kuvendit duhet të arrihen mes grupeve parlamentare dhe jo të kërkohet zgjidhje nga gjykata.
“Ne kemi ofruar dy kompromise. I pari ka qenë votimi i fshehtë, ku nëse Haxhiu nuk zgjidhej si kryetar që në raundin e parë, do të propozonim një emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë të biem dakord për një pako me kryetarin dhe nënkryetarët dhe më pas të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa, por nuk ka pasur hapa nga pala tjetër,” tha Kurti.
Ai shtoi se, ndonëse Kushtetuesja ka rekomanduar marrëveshje politike mes palëve, partitë opozitare kanë vazhduar të çojnë çështje në gjykatë, çka sipas tij është në kundërshtim me frymën e aktgjykimit.
“Jam unë ai që kam nisur letra për bashkëbisedim, por siç e dini, deri tani nuk kemi pasur sukses,” u shpreh Kurti.
Pavarësisht kompetencave të kufizuara që i takojnë një qeverie në detyrë, Kurti tha se puna e tij nuk është zvogëluar.
“Nuk kam më pak punë se më herët, përkundrazi, kam më shumë. Kosova është stabile, Kosova po përparon, por Kosova s’ka Kuvend,” përfundoi ai.