Dy persona arrestohen në Zveçan për vjedhje të pyllit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në komunën e Zveçanit, të dyshuar për përfshirje në një rast të “vjedhjes së pyllit”.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është raportuar më 7 gusht rreth orës 18:20 në Stacionin Policor në Zveçan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur dy persona me një traktor dhe rimorkio të ngarkuar me dru.
Të dyshuarit, E.B. (34 vjeç) dhe S.B. (42 vjeç), janë arrestuar dhe intervistuar nga hetuesit policorë. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, me urdhër të prokurorit të Shtetit, ata janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre është iniciuar rast penal për veprën “Vjedhje e pyllit”.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për të parandaluar dhe trajtuar veprat penale që cenojnë sigurinë dhe mjedisin, duke ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë rastet e dyshimta përmes numrit 192 apo aplikacionit “Lajmëro Policinë”.