Rënie e përfituesve të skemës sociale në Kosovë – vetëm në Prishtinë ndihmohen 800 familje

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka raportuar një rënie prej -12.9% të përfituesve të skemës për ndihmë sociale krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rënie, sipas autoriteteve, vjen si pasojë e migrimit dhe ndryshimit të kritereve për përfitim nga këto skema.
Nga mbi 19 mijë përfitues në qershor të vitit 2024, këtë vit në listë figurojnë afro 17 mijë persona. Vetëm në Prishtinë, aktualisht janë rreth 800 familje që jetojnë nga ndihma sociale.
Një 23-vjeçar nga Prishtina tregon se mbledh kanaçe në rrugët e kryeqytetit për të ndihmuar familjen e tij, me babanë e sëmurë dhe në rrezik për t’u nxjerrë nga banesa me qira.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti, thotë se para katër vitesh ishin rreth 1500 familje përfituese, ndërsa sot janë më pak se gjysma. Ajo thekson se përveç migrimit, verifikimet në terren dhe kriteret më të ashpra kanë ndikuar në rënien e numrit të përfituesve.
Nga ana tjetër, sociologu Ragip Fetahu thotë se gjendja e rëndë ekonomike ndikon edhe në shëndetin emocional të qytetarëve dhe vë në pah mungesën e politikave të qëndrueshme për luftimin e varfërisë.
Ndërkohë, sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë është 10.9%, ndërsa të dhënat për varfërinë nuk janë përditësuar që nga viti 2017.