Rreth 190 pacientë në ditë kërkojnë trajtim në QKMF-në e Prishtinës

Numri i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë arrin mesatarisht nga 180 deri në 190 në ditë, ndërsa gjatë një jave kjo shifër kap rreth 850 pacientë. Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i QKMF-së, Dr. Rrezart Halili.
Sipas tij, gjatë muajit korrik nuk është vërejtur rritje e fluksit të pacientëve, ndërsa rastet më të shpeshta kanë qenë ftohjet dhe barkqitjet, sidomos tek fëmijët.
“Gjatë verës, barkqitjet dhe të vjellat janë shqetësime të zakonshme te fëmijët, të shkaktuara nga viruse si rotavirusi apo patogjenë si Salmonella, Shigella dhe Giardia”, sqaroi Halili. Ai theksoi se pavarësisht shkaktarit, trajtimi bazë mbetet rehidrimi dhe menaxhimi ushqimor.
Ndërkohë, ftohja e zakonshme mbetet një nga infeksionet më të përhapura të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, e shkaktuar nga mbi 200 viruse, ku rinovirusi është më i shpeshti. Simptomat përfshijnë dhimbje fyti, rrjedhje hundësh, kollitje dhe ngjirje zëri.
Halili theksoi se fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike janë më të ndjeshëm ndaj këtyre infeksioneve sezonale dhe u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes me higjienën dhe kontaktin me persona të infektuar.