Kosova

Temperaturat e larta vështirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm në Prishtinë dhe rrethinë

Furnizimi me ujë të pijshëm në Prishtinë dhe rrethinë po përballet me vështirësi gjatë ditëve me temperatura mbi 35 gradë Celsius, për shkak të konsumit dhe keqpërdorimit të lartë të ujit në zonat e ulëta. Kjo gjendje është konfirmuar edhe nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, ka deklaruar për Ekonomia Online se sapo temperaturat bien nën 30 gradë Celsius, furnizimi me ujë stabilizohet menjëherë. Sipas saj, uji trajtohet në kapacitete maksimale në impiantet Albanik, Shkabaj dhe Badovc, por nuk arrin në disa pika të larta për shkak të konsumit të tepruar në pikat më të ulëta.

“Ne nuk jemi duke aplikuar ndonjë reduktim në kryeqytet me rrethinë. Furnizimi është stabil përveç rasteve të punimeve teknike ose defekteve në sistem”, tha Mjeku.

Ajo rikujtoi se në vitet e ’60, liqeni i Badovcit furnizonte rreth 39 mijë banorë, ndërsa sot ky liqe mbulon dhjetëfishin e këtij numri, çka e bën sistemin më të ndjeshëm ndaj mbingarkesës dhe abuzimeve.

Një shqetësim shtesë janë edhe lidhjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit. Mjeku bëri të ditur se vetëm për një muaj, inspektorët kanë zbuluar mbi 250 raste të vjedhjes së ujit përmes lidhjeve jashtë ujëmatësit, të cilat do të procedohen në gjykatë.

Ajo i bëri thirrje qytetarëve që të përdorin ujin me kujdes dhe vetëm për nevoja shtëpiake, duke shmangur keqpërdorimin dhe lidhjet ilegale që rëndojnë sistemin dhe dëmtojnë furnizimin në zonat më të larta.

“Vetëdijesimi i qytetarëve është kyç, pasi kemi raste kur një konsumator ka një lidhje legale dhe tri të tjera ilegale, duke tejkaluar çdo normë konsumi. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në pamundësinë e furnizimit të drejtë për të gjithë”, theksoi Mjeku.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button