Kosova

Mbrojtja e Selimit kërkon kufizime për Prokurorinë në marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes

Mbrojtja e Rexhep Selimit ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Speciale për të vendosur masa kufizuese ndaj mënyrës së marrjes në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes nga Prokuroria dhe palët e tjera në procesin gjyqësor ku Selimi gjykohet bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në kërkesën e dorëzuar më 17 korrik 2025, Mbrojtja kërkon që pyetjet ndaj dëshmitarëve të mbrojtjes të kufizohen vetëm në përmbajtjen e pyetjes direkte, besueshmërinë e dëshmitarit dhe çështje që lidhen me provat relevante të palës që bën pyetjen. Ajo nënvizon se edhe në rastet kur pyetjet bëhen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ato duhet të kufizohen vetëm në çështje të trajtuara gjatë fazës kryesore të paraqitjes së provave të Prokurorisë.

Po ashtu, Mbrojtja kërkon që të ndalohet paraqitja e provave që lidhen me akte apo sjellje të një të akuzuari tjetër, nëse dëshmitari nuk është thirrur nga ai i akuzuar. Kjo, sipas saj, do të shmangte zgjerimin e papritur të akuzave dhe do të mbronte të drejtat e Selimit në një proces të drejtë, në veçanti duke pasur parasysh se ai ka vendosur të mos paraqesë çështje mbrojtëse.

Në dokumentin e dorëzuar, Mbrojtja thotë se sipas jurisprudencës së Dhomave të Specializuara, të gjithë të akuzuarit që gjykohen bashkë kanë të drejtë të njëjtë sikur të gjykohen veçmas, andaj trupi gjykues duhet të garantojë që Selimi të mos paragjykohet për shkak të mënyrës së zhvillimit të procesit nga të akuzuarit e tjerë që kanë zgjedhur të thërrasin dëshmitarë.

Ndër kërkesat kryesore përfshihen:

Vendosja e kufizimeve në përmbajtjen e pyetjeve nga palët kundërshtare;

Ndalesa për ZPS-në që të paraqesë prova të reja përmes dëshmitarëve të mbrojtjes pa përmbushur standardin e “provës së re”;

Ndalimi i nxjerrjes së provave që lidhen me sjelljet e një të akuzuari tjetër;

Lejimi për mbrojtjen e Selimit që të rihapë marrjen në pyetje të dëshmitarëve në rast se dalin çështje të reja gjatë pyetjeve nga Prokuroria.

Sipas mbrojtjes, rregulli 143 (3) i procedurës gjyqësore e mbështet një interpretim të tillë që synon të mbrojë drejtësinë dhe të drejtat procedurale të të akuzuarve. Po ashtu, ajo paralajmëron se paraqitja e provave të reja nga ZPS-ja pas mbylljes së fazës kryesore do të ishte në kundërshtim me detyrimet që ka Prokuroria për të paraqitur provat e saj në kohën e duhur.

Mbrojtja vë në dukje se rihapja e pyetjes ndaj dëshmitarëve do të ishte esenciale për të kundërshtuar çdo pretendim të ri që mund të dalë gjatë pyetjeve nga palët e tjera, në mënyrë që Selimi të mos paragjykohet për shkak të vendimit për të mos paraqitur dëshmitarë vetë.

Në fund, kërkesa e Selimit kërkon edhe ndryshimin e pikës 112 të Urdhrit për Zhvillimin e Procedurës, që do të lejonte mbrojtjen të rifillojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve nëse lindin çështje të reja që prekin drejtpërdrejt rastin e tij.

Ndërkohë, më 16 korrik 2025, trupi gjykues kishte rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Selimit dhe Veselit për rrëzimin e disa akuzave për shkak të kufizimeve kohore, duke sqaruar se incidentet e përmendura nuk përbëjnë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130.

Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së vazhdon, ndërsa Prokuroria kishte mbyllur fazën e saj të paraqitjes së provave më 15 prill 2025. Aktakuza kundër tyre, që përfshin dhjetë pika, ishte konfirmuar më 26 tetor 2020 dhe i ngarkon të akuzuarit me përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në disa zona të Kosovës, përfshirë Gjilanin, Budakovën dhe Semetishtën.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button