Kosova
Kryesore

BE rikonfirmon rolin ndërmjetësues në dialogun Kosovë–Serbi: Kërkohet zbatim urgjent i marrëveshjeve

Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar përkushtimin e tij si ndërmjetësues kyç në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se është duke punuar intensivisht me të dyja palët për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që trajton të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Ky reagim i Brukselit vjen pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, i cili gjatë një bisede me presidentin serb Aleksandar Vuçiq nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve Kosovë–Serbi dhe të zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin shpejt angazhimet e tyre ndaj Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivës për anëtarësim në BE”, thuhet në një deklaratë të Komisionit Evropian.

Zyrtarët evropianë theksuan se pas takimit të fundit të kryenegociatorëve në muajin qershor, BE-ja mbetet e gatshme të organizojë raundin e ardhshëm të dialogut sapo palët të shprehin gatishmërinë për një takim, qoftë në nivel teknik apo politik.

Në deklaratë theksohet se “rruga drejt BE-së për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ndërsa zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese konsiderohet thelbësor për përparimin në procesin e integrimit evropian.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button