Bota

Prindërit braktisin fëmijën në aeroportin e Barcelonës pasi nuk kishte pasaportë të vlefshme

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Aeroportin El Prat të Barcelonës, ku një çift prindërish kanë braktisur fëmijën e tyre 10-vjeçar në terminal, pasi zbuluan se ai nuk kishte pasaportë të vlefshme dhe as vizë për të udhëtuar.

Familja ishte duke u nisur drejt vendit të tyre të origjinës dhe kishte me vete dy fëmijë. Kur autoritetet e aeroportit konstatuan se njëri prej fëmijëve nuk plotësonte dokumentacionin e nevojshëm për të udhëtuar, prindërit morën vendimin befasues për të mos humbur pushimet dhe u larguan vetëm me një fëmijë, duke e lënë të voglin të vetëm në aeroport.

Ata kishin lënë një njoftim se një i afërm do të vinte për ta marrë fëmijën, por nuk kishte asnjë garanci se kur kjo do të ndodhte. Rasti u bë shpejt viral në rrjetin TikTok, pasi një punonjëse e aeroportit ndau historinë, e tronditur nga ajo që kishte ndodhur. “Si nënë, jam e tmerruar. Kush lë një fëmijë vetëm në terminal për orë të tëra?”, tha ajo në një video që mori mijëra reagime.

Pas sinjalizimit të stafit të aeroportit, Guardia Civil ndërhyri menjëherë dhe arriti të ndalojë prindërit përpara se të nisej avioni. Ata u shoqëruan në komisariat dhe aktualisht po hetohen për akuzën e braktisjes së një të mituri.

Sipas legjislacionit spanjoll, braktisja e fëmijëve konsiderohet vepër penale serioze dhe mund të çojë në dënime të rënda, përfshirë edhe burgim. Autoritetet po trajtojnë çështjen me prioritet, ndërsa fëmija është nën kujdesin e shërbimeve sociale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button