“The Sun”: Shqipëria, Maldivet e Evropës vetëm pak orë larg Britanisë – çmime të lira dhe plazhe magjepsëse

Plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat kristalorë të Shqipërisë po e kthejnë vendin ballkanik në një nga destinacionet më të lakmuara turistike në Evropë. E përditshmja britanike The Sun i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë, duke e krahasuar atë me “Maldivet e Evropës” për bukuritë natyrore që ofron, çmimet e përballueshme dhe qetësinë që ende e karakterizon.
Gazetarja Cyann Fielding shkruan se tashmë Shqipëria është vetëm disa orë larg Britanisë së Madhe, falë fluturimeve të reja direkte të kompanisë “Wizz Air” nga Aeroporti “Gatwick” i Londrës drejt Tiranës, me çmime që nisin nga vetëm 19.99 paund.
“Tirana është një destinacion më vete, por shumica e turistëve e përdorin si pikënisje për të zbuluar Rivierën Shqiptare,” shkruan The Sun. Jashtë kryeqytetit, turistët mund të eksplorojnë vendpushime bregdetare me ujëra të kaltra, rërë të bardhë dhe kuzhinë mesdhetare, përfshirë qytetin e Sarandës dhe plazhet e famshme të Ksamilit.
Në Sarandë, hoteli “Lost Seaside” ofron përvoja luksoze si pishina, kasolle mbi ujë në stilin “Maldive” dhe shezlongë që varen mbi det. Ndërkohë, çmimet mbeten tejet të përballueshme për turistët nga Perëndimi.
Sipas gazetës britanike, një gotë verë në Shqipëri kushton mes 1,78 dhe 3,55 paund, ndërsa një vakt me tre pjata për dy persona vetëm 39,94 paund. Qëndrimi në “Airbnb” kushton mes 14 dhe 21 paund për person në natë, dhe një dhomë dyshe mesatarisht rreth 83 paund, sipas të dhënave nga “Kayak”.
Një gazetar i The Sun, që vizitoi Shqipërinë kohët e fundit, shkruan: “Pushimet në Shqipëri ishin të lira dhe të gëzueshme. Në Vlorë, koktejtë kushtonin vetëm 3,70 paund, ndërsa një drekë e plotë në Ksamil vetëm 11,30 paund. Ujërat ishin bruz, si në Korfuz apo Sardenjë, por plazhet ishin të qeta dhe ende të pazbuluara nga turizmi masiv.”
“Shqipëria është një perlë e fshehur që ofron pushime të paharrueshme me një buxhet modest – pa bërë kompromis me bukurinë natyrore,” përfundon artikulli i The Sun.