Lajme

Mekanizmi Kundër Torturës viziton paraburgimin e Durrësit, kontrollon kushtet e qëndrimit të Erion Veliajt

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), strukturë pranë Avokatit të Popullit, ka zhvilluar një inspektim të papritur në ambientet e paraburgimit në Durrës, ku aktualisht ndodhet i ndaluar edhe kryetari i pezulluar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë kontrollit, përfaqësuesit e mekanizmit kanë intervistuar të gjithë të paraburgosurit, përfshirë edhe Veliajn, i cili ndodhet në qeli që prej datës 10 shkurt, si pjesë e hetimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Vizita vjen në vazhdën e akuzave publike të ngritura nga Veliaj për trajtim të pahijshëm dhe shkelje të protokolleve mjekësore gjatë një transportimi të fundit në një klinikë, ku ai ishte shoqëruar nga mbi 30 efektivë policie. Avokatët mbrojtës të tij kanë reaguar ashpër duke denoncuar kushtet e qëndrimit dhe masat e sigurisë të vendosura ndaj klientit të tyre, të cilat, sipas tyre, përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut.

MKPT pritet të publikojë së shpejti një raport të detajuar mbi gjetjet nga ky kontroll, ndërsa zyra e Avokatit të Popullit nuk ka komentuar ende publikisht mbi shqetësimet e ngritura.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button