Kurti: Serbia po përpiqet të destabilizojë Kosovën, arrestimi i Popoviq dëshmon përfshirjen e BIA-s

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për destabilizimin e vendit, duke theksuar se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë po u kundërvihen me sukses këtyre veprimeve.
Në një deklaratë për media, Kurti tha se në këtë drejtim hyn edhe arrestimi i Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë. Popoviq u arrestua më 18 korrik në Kosovë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndëretnik.
Sipas Kurtit, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë siguruar dëshmi të forta për lidhjet e Popoviqit me Agjencinë serbe për Siguri dhe Informim (BIA), përfshirë edhe incizimin ilegal të bisedave gjatë një takimi zyrtar në Bruksel më 17 shtator 2020, në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
“Ky rast është jashtëzakonisht serioz dhe shpërfaq për herë të parë në këtë formë qasjen sistematike, destruktive dhe sabotuese të Serbisë ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian,” deklaroi Kurti.
Ai theksoi gjithashtu se aktivitetet e Popoviq përfshijnë edhe përpjekje për sabotimin e drejtësisë dhe cenimin e sigurisë kombëtare të Kosovës.
Popoviq u ndalua fillimisht pas një deklarate gjatë një tubimi në Rahovec, ku kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste” – një deklaratë që ngjalli reagime të ashpra në opinionin publik.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon integritetin dhe sigurinë e vendit.