Haki Shatri kritikon ZRRE-në: Kalimi i detyrueshëm në tregun e lirë të energjisë rrezikon falimentimin e bizneseve

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e lirë të energjisë, duke e cilësuar si një vendim të rrezikshëm për ekonominë e Kosovës.
Në një deklaratë për “Front Online”, Shatri theksoi se ky vendim nuk merr parasysh gjendjen reale ekonomike në vend dhe se e shtyn sektorin privat drejt një kolapsi financiar të pashmangshëm.
“Në zhvillim ekonomik kjo është e dëmshme, por ZRRE ka ngulë këmbë për me kaluar në tregun e lirë. Bizneset po ankohen që mund të falimentojnë, por në vesh të shurdhër. Këto tendenca sikur po duan t’i shkatërrojnë bizneset e me u kthyer në komunizëm. S’ka logjikë kjo çështje. Duan ta shkatërrojnë sistemin ekonomik me metoda të kamufluara,” u shpreh ai.
Shatri paralajmëroi se ky veprim mund të ketë pasoja afatgjata për zhvillimin ekonomik të vendit dhe kërkoi që institucionet përgjegjëse të rishikojnë urgjentisht këtë politikë.