Reagime pas dënimit të Pleskoviqit: Familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi më të ashpër

Familjarët e viktimave të masakrës së ndodhur më 1 shtator 1998 në Prizren janë shprehur të revoltuar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e dënoi sot me 15 vjet burg Millosh Pleskoviqin, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
“Ai mi ka masakru vëllezërit. Pak është Gjykata. Duhet përjetë. Ai mi ka pre vëllezërit”, ka thënë me lot në sy motra e dy viktimave, pas shpalljes së aktgjykimit.
Edhe avokati i familjarëve të viktimave, Gent Gjini, ka kritikuar ashpër vendimin e gjykatës, duke theksuar se një kriminel lufte si Pleskoviqi është gjykuar me ligje të vjetra të Jugosllavisë.
“Ky dënim është shumë i ulët në raport me masakrën që është kryer. Zonjës ia ka masakruar dy fëmijë binjakë. Ua ka prerë gjymtyrët. Janë fakte. Gjykata e ka dënuar shumë pak, duke u bazuar në ligjet e Jugosllavisë”, deklaroi avokati Gjini.
Ai gjithashtu theksoi se ky është një rast i rëndësishëm, pasi për herë të parë në Kosovë po gjykohet një pjesëtar i “Beretave të Kuqe”, një njësi famëkeqe serbe e lidhur me kriminelin e luftës Arkan.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 1 shtator 1998, Pleskoviq, si pjesë e një grupi të armatosur prej 7-8 personash të nacionalitetit serb, ka ndaluar një grup shqiptarësh që po udhëtonin drejt malit të tyre në Prizren: R.D., B.D., F.B., si dhe të mbijetuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati. Pas ndalimit, viktimat janë fyer dhe më pas ekzekutuar në mënyrë brutale.
Përkundër fakteve tronditëse dhe dëshmive të shumta, Gjykata vendosi ta dënojë Pleskoviqin me vetëm 15 vjet burg.
Ky vendim ka ngjallur zemërim dhe zhgënjim te të afërmit e viktimave dhe publiku, të cilët e shohin si një padrejtësi për krimet monstruoze të kryera gjatë luftës.