Prokuroria e Apelit refuzon ankesën e Flutura Kusarit për ngacmim online nga Mentor Llugaliu

Aktivistja e njohur e shoqërisë civile, Flutura Kusari, ka bërë të ditur se Prokuroria e Apelit ka refuzuar ankesën e saj ndaj vendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila kishte hedhur poshtë kallëzimin penal që ajo kishte ngritur kundër Mentor Llugaliut, mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari deklaroi se Prokuroria e Apelit, njësoj si Themelorja, ka vlerësuar se ngacmimi i vazhdueshëm dhe obsesiv prej më shumë se tre vjetësh ndaj saj nuk përbën vepër penale.
“Prokuroria e Apelit e ka refuzu ankesën time në rastin e ngacmimit të obsesionuar më shumë se trevjeçar nga mbështetësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Mentor Llugaliu,” ka shkruar Kusari, duke publikuar një sërë fyerjesh dhe komentesh ofenduese që, sipas saj, Llugaliu i ka bërë publikisht në drejtim të saj.
Ndër shprehjet e publikuara janë ofendime të rënda si: “P* i mickojës”, “Mickoja e k*”, “Nonën pa ta ** mos e lasha”, dhe “E bullizuara ime e vitit”. Kusari shpreh shqetësimin se këto sulme janë bërë për shkak të aktivizmit të saj dhe për shkak se Llugaliu nuk ka arritur të marrë një post publik në bordin e RTK-së.
Sipas Kusarit, arsyetimi i Prokurorisë së Apelit është pothuajse identik me atë të Themelores dhe nuk ofron ndonjë analizë të thelluar juridike, përveç një fjali shtesë që thuhet: “nuk jemi të obliguar t’i adresojmë të gjitha pretendimet e ankesës”.
Ajo thekson se ky vendim mund të shërbejë si inkurajim për vazhdimin e ngacmimeve dhe se përkundër mungesës së besimit në institucionet e drejtësisë, do të vazhdojë t’i dokumentojë të gjitha postimet për të kërkuar mbrojtje ligjore.
“Kjo vëmendje e vazhdueshme dhe ky obsesionim po më shkakton ankth, frikë, shqetësim të madh, po më streson dhe kam frikë që do të eskalojë”, shkruan Kusari.
Më 20 qershor 2025, Kusari kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Mentor Llugaliut për ngacmim online, ndërsa më 1 korrik bëri të ditur se Prokuroria Themelore e kishte hedhur poshtë kallëzimin.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbështetur aktivisten Kusari në këtë proces, duke vlerësuar se rasti përbën njërin ndër rastet më serioze të ngacmimit online ndaj një aktivisteje të shoqërisë civile në Kosovë. /BetimipërDrejtësi