Hoti: Gjykata Kushtetuese ka kurthuar procesin e konstituimit të Kuvendit – Zgjidhja është kufizimi në kohë i të drejtës së partisë së parë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ajo nuk ka nevojë dhe nuk duhet të zgjidhë çdo problem politik, por vetëm ato që i ka krijuar vetë. Ai ka theksuar se aktgjykimi i vitit 2014 e ka kurthuar procesin e konstituimit të Kuvendit, duke shkelur dy parime thelbësore të demokracive parlamentare.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë dhe nuk duhet të zgjidhë çdo problem politik. Ajo duhet të zgjidhë, para së gjithash, ato probleme politike që i ka krijuar vetë”, ka deklaruar Hoti.
Sipas tij, me vendimin e vitit 2014 – i cili citohet edhe në aktgjykimin e datës 26 qershor 2025 – Gjykata i ka njohur partisë së parë të dalë nga zgjedhjet të drejtën absolute për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke përjashtuar shumicën parlamentare nga vendimmarrja.
“Janë dy parime që janë shkelur: parimi i dominimit të shumicës dhe ai i mandatit të lirë e të pakushtëzuar të deputetit. Mund të ketë 80 deputetë që mbështesin një kandidat, por janë të pamundur të votojnë pa vullnetin e pakicës që e ka të drejtën e propozimit”, ka theksuar ai.
Hoti vlerëson se kjo krizë politike duhet të zgjidhet urgjentisht për të dalë nga ngërçi aktual dhe për të shmangur përsëritjen e saj në të ardhmen. Ai propozon që partisë së parë t’i jepet e drejta e propozimit të kandidatit për kryetar Kuvendi, por kjo e drejtë të jetë e kufizuar në kohë.
“Sikurse në rastin e formimit të Qeverisë, fituesi relativ ka të drejtën e parë për propozim, por kjo duhet të kufizohet me një afat të arsyeshëm kohor. Pas këtij afati, e drejta kalon tek cilado palë që arrin të formojë shumicën parlamentare”, është shprehur Hoti.
Ai shton se një zgjidhje e tillë është në përputhje me Kushtetutën dhe me parimet bazë të demokracive parlamentare, si dhe praktikat e vendeve evropiane.
“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos ta rikthejë seancën konstituive në datën kur është ndërruar rendi i ditës në mënyrë jokushtetuese, sërish duhet të zbatohet parimi kushtetues: shumica vendos. Kjo është rruga e vetme për të respektuar vullnetin demokratik dhe lirinë e deputetëve në ushtrimin e mandatit të tyre”, ka përfunduar Hoti.