Kurti dhe kabineti qeveritar bëjnë homazhe për Adem Demaçin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me anëtarë të kabinetit qeveritar në detyrë, bënë sot homazhe pranë varrit të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, me rastin e shtatëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Gjatë homazheve, Kurti vlerësoi figurën e Demaçit si një personalitet të rrallë në historinë shqiptare:
“Gazetar e shkrimtar, veprimtar e intelektual, i përndjekur dhe i burgosur politik, i lauruar për paqe, përfaqësues politik i luftëtarëve të lirisë, mendimtar dhe kritik, Adem Demaçi ishte mishëruar me çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët. Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!”
Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Në nderim të figurës së tij, institucionet e Kosovës patën shpallur tri ditë zie dhe organizuan aktivitete të shumta përkujtimore.
Demaçi mbetet një nga figurat më të shquara të rezistencës shqiptare, duke kaluar 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë për angazhimin e tij politik dhe përkushtimin ndaj lirisë së popullit shqiptar. Për këtë arsye, shpesh është cilësuar si “Nelson Mandela i Evropës”.