Seanca për konstituimin e Kuvendit vazhdon sot në orën 14:00, në ditën e fundit të afatit të Kushtetueses

Në orën 14:00 të së shtunës pritet të rifillojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, në ditën e fundit të afatit 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për formimin e legjislaturës së re. Kjo përpjekje vjen pas disa dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit që nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten se për shkak të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për një masë të përkohshme që hyn në fuqi më 27 korrik dhe që pezullon punën e Kuvendit deri më 8 gusht, seanca e ndërprerë dje do të vazhdojë sot, në përpjekjen e fundit për të përmbushur detyrimin kushtetues brenda afatit.
“Dje jemi njoftuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme… Meqë afati 30-ditor përfundon nesër (e shtunë), seancën e radhës do ta mbajmë nesër në orën 14:00”, deklaroi Dehari të premten, duke theksuar se kjo është tentativa e fundit brenda afatit të përcaktuar.
Pavarësisht afatit dhe krizës institucionale, partitë politike nuk kanë arritur konsensus. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë për Albulena Haxhiun në pozitën e kryeparlamentares, edhe pse ajo nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për afër pesë muaj.
Ndërkohë, edhe Fatmir Limaj ka hyrë në garë për këtë post, duke u parë si një figurë e mundshme që mund të bashkëpunojë me Vetëvendosjen për të çuar përpara formimin e institucioneve të reja.
Në rast se edhe kjo përpjekje dështon, Kuvendi i Kosovës do të mbetet në një situatë të paprecedentë, ndërsa vendimi final i Kushtetueses pritet të sqarojë më tej rrugën ligjore dhe institucionale për të zgjidhur krizën.