Kosova

Shtatë vjet pa Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare

Sot shënohen shtatë vjet që nga ndarja nga jeta e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi – i njohur si “Mandela i Kosovës”.

I lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare dhe barazisë së Kosovës me republikat e tjera në kohën e Jugosllavisë.

Për veprimtarinë e tij politike, ai vuajti plot 28 vjet burg në regjimin jugosllav. Por as burgosjet e gjata nuk e ndalën në rrugën e tij – sapo u lirua, ai vijoi me përkushtim misionin për liri dhe të drejta të barabarta për shqiptarët.

Nga viti 1990 deri më 1995, ai drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ndërsa në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin prestigjioz “Saharov” për mendimin e lirë.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në periudhën 1998-1999, Demaçi shërbeu si zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke qenë një zë i fuqishëm në skenën ndërkombëtare për të drejtat e popullit shqiptar. Ndërkohë, ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 2005 deri më 2007.

Adem Demaçi është autor i romanit “Gjarpijt e Gjakut”, një vepër që u ndalua nga regjimi i kohës, por që më vonë u bë një nga simbolet letrare të rezistencës.

Me jetën dhe veprën e tij, Demaçi u shndërrua në një figurë me përmasa historike jo vetëm për Kosovën, por për gjithë botën shqiptare. Ai mbetet një simbol i pathyeshëm i qëndresës dhe bashkimit kombëtar.

Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Në nderim të tij, u mbajtën tri ditë zie shtetërore në Kosovë dhe u organizuan ceremoni të shumta përkujtimore.

Sot, emri i tij vazhdon të frymëzojë breza të tërë në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit kombëtar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button