Avokati i Popullit: Kriza në RTK, një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut – Qeveria të veprojë urgjentisht

Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim të thellë për situatën kritike në të cilën ndodhet Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), ku afro 700 punëtorë kanë mbetur pa paga mujore për shkak të bllokadës institucionale pas zgjedhjeve të fundit.
Në një takim të mbajtur më 18 korrik me menaxhmentin e RTK-së, është bërë e ditur se në mungesë të ndërhyrjes urgjente të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e pagave, funksionimi i RTK-së është në rrezik të plotë për shkak të mungesës së buxhetit. Avokati i Popullit ka vlerësuar se kjo krizë nuk është vetëm pasojë e një ngërçi politik, por përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut.
Në deklaratën e tij, Avokati ka theksuar se mosdhënia e pagave prek disa të drejta kyçe:
Të drejtën për pronë, pasi pagat përbëjnë interes pasuror të mbrojtur me ligj dhe vonesa në pagesë është ndërhyrje e paligjshme;
Të drejtën për qasje në drejtësi, pasi mungesa e autoritetit funksional i privon punëtorët nga kërkimi efektiv i të drejtave të tyre;
Lirinë e shprehjes, sepse ndalja e funksionimit të RTK-së kufizon të drejtën e publikut për informim të lirë, të drejtë dhe të paanshëm.
Avokati i Popullit i ka bërë thirrje të qartë Qeverisë në detyrë që të mos neglizhojë përgjegjësitë themelore ndaj qytetarëve dhe të përdorë instrumente buxhetore të përkohshme për të garantuar pagesën e punëtorëve të RTK-së. Ai ka theksuar se kjo situatë nuk është një çështje teknike, por një çështje e dinjitetit, sigurisë jetike dhe drejtësisë sociale.
Kriza aktuale në RTK po zgjat përtej durimit të pranueshëm dhe mund të ketë pasoja të pakthyeshme për informimin publik dhe për të drejtat e punëtorëve në Kosovë.