Limaj pas intervistës së Thaçit nga Haga: Më mungojnë ata zëra racionalë, Kosova nuk ka liderë, por oazë jetime

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas intervistës së ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga, duke shprehur emocione të përziera dhe një reflektim të thellë mbi situatën politike në vend.
Limaj tha se intervista e Thaçit ka lënë gjurmë të forta te ai, duke përmendur ndjenjat e trishtimit dhe mallit për bashkëpunëtorët e dikurshëm.
“Mesazhet e tij kanë qenë të jashtëzakonshme, mesazhe që shpresoj dhe besoj që njerëzit e thjeshtë dhe në politikë ta kuptojnë drejtë. Mbrëmë e kam përcjell me ndjenja të përziera, të krenarisë për atë që kemi bërë dhe që kam qenë pjesë me të. Kisha ndjenja të trishtimit e mërzie. Ai bashkë me bacën Jakup, Rexhepin e Kadrinë është dashur të jenë këtu”, deklaroi Limaj.
Ai theksoi një nga mesazhet kryesore të Thaçit: përkohshmërinë e liderëve dhe përjetësinë e Kosovës.
“Më e rëndësishmja që e ka thënë edhe këtu: liderët janë të përkohshëm, Kosova është e përjetshme. Nëse del nga goja e themeluesit të shtetit, besoj që edhe këta duhet ta kuptojnë”, u shpreh ai.
Në fund, Limaj kritikoi gjendjen aktuale politike në Kosovë, duke thënë se vendit i mungojnë zërat racionalë.
“Po na mungojnë ata zëra racional në Kosovë, kemi mbetur si në një oazë jetime këtu, të atyre që e dinë se çfarë është politika. Politika nuk është urrejtje”, përfundoi Limaj.