Prokuroria kërkon paraburgim ndaj katër të dyshuarve për veprën penale “Detyrimi”

Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Xh.K., D.K., A.K. dhe L.Sh., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, sipas nenit përkatës të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës paraprake, më 23 korrik 2025, të pandehurit, me dashje dhe qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, kanë përdorur kanosje serioze ndaj të dëmtuarit me qëllim që ta detyrojnë të kryejë një veprim në dëm të pasurisë së tij. Rasti ka të bëjë me një patundshmëri që viktima e kishte blerë nga ish-pronari, ndërsa të dyshuarit kanë kërkuar nga ai fillimisht shumën prej 20.000 euro, e më pas edhe 30.000 euro shtesë. Ata janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të masave të veçanta të hetimit.
Përveç kësaj, ndaj të pandehurit L.Sh. rëndon edhe dyshimi për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes, në seancën e procedurës paraprake, ka bërë të ditur se do të kërkojë nga gjyqtari i çështjes që të pandehurve t’u caktohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë si dhe i përsëritjes së veprës penale.