Kosova

Ngërçi në Kuvend po dëmton komunat: Tri pa buxhet, Kosova humb 60 milionë euro nga BE

Ngërçi politik në nivel qendror ka filluar të reflektojë seriozisht edhe në nivel lokal. Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, disa komuna kanë mbetur pa projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa tri komuna – Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku – aktualisht janë pa buxhet për vitin 2025.

“Tri komuna – Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku – ende nuk e kanë buxhetin e miratuar për vitin 2025, pasi Kuvendi i Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Komunat po pësojnë në aspektin financiar, për shkak të mungesës së mbështetjes nga fondet e BE-së, përfshirë ato nga Plani i Rritjes, por edhe fonde të tjera që po mbesin të bllokuara për shkak të masave politike”, thuhet në një reagim zyrtar.

Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion një fond prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të shpërndahen përmes granteve dhe kredive me kushte të favorshme. Por Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka përfituar asnjë mjet nga Plani i Rritjes së BE-së, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

Si pasojë e kësaj situate, Kosova ka humbur deri më tani 60 milionë euro nga gjithsej rreth 900 milionë që i takojnë sipas ndarjes së përcaktuar. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gazmend Qorraj, paralajmëron se vendi mund të humbasë përfundimisht këto mjete nëse situata politike nuk zhbllokohet me shpejtësi.

“Përkundër faktit që këto mjete janë të kuotizuara për Kosovën, ekziston rreziku real që ato të humben, pasi kanë afate të caktuara dhe mund të ridrejtohen drejt vendeve të tjera”, deklaron Qorraj për RTV21.

Ngërçi institucional po ndikon gjithashtu në jetën e përditshme të qytetarëve. Në kohën kur vendi po përballet me një valë të re të inflacionit, mungesa e vendimmarrjes në Kuvend vetëm sa ka shtuar pakënaqësinë dhe pasigurinë tek qytetarët.

“Kjo s’ka kurrfarë kuptimi. Po i luten me i marrë pare, e këta nuk po dojnë”, shprehet një qytetar.

“Nuk di çka me thonë, më katastrofë nuk ka”, thotë një tjetër.

“Ma keq nuk shkon. Katuni që shihet kallauz nuk don”, komentoi një qytetar tjetër, duke reflektuar zemërimin e përgjithshëm që ndjehet në opinion.

Analistët theksojnë se pasojat kryesore të kësaj bllokade bien mbi qytetarët. “Kushtetuesja, si gardiane e shtetit, e ka thënë fjalën e saj dhe ajo duhet të respektohet nga të gjitha palët, edhe kur vendimi mund të mos i pëlqejë njërës anë. Por në fund të ditës, janë qytetarët ata që po përballen me pasojat e inflacionit të lartë dhe mungesës së mbështetjes”, vlerëson analisti politik Bekim Selishta.

Ndërkohë, ekspertët e integrimeve evropiane paralajmërojnë se Kosova po e humb hapin me vendet e rajonit dhe se kjo situatë po dëmton rëndë edhe imazhin ndërkombëtar të vendit. Nëse nuk merren masa urgjente për konstituimin e Kuvendit, Kosova rrezikon të përjashtohet nga mundësi të rëndësishme zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button