Ministria e Drejtësisë reagon për mundësinë e largimit të avokatit të Thaçit: Janë paguar mbi 5 milionë euro për mbrojtjen e tij

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas raportimeve se avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetic, mund të tërhiqet nga mbrojtja e klientit të tij për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Në një deklaratë për media, Ministria ka bërë të ditur se pagesat për përkrahjen juridike janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me marrëveshjet në fuqi.
“Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24 korrik 2025, janë realizuar pagesa të rregullta në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike,” thuhet në komunikatë.
Sipas Ministrisë, nga një shumë totale prej 32 milionë e 944 mijë e 287 euro e 77 centësh, të ndara për mbrojtjen juridike të të akuzuarve, mbi 5.3 milionë euro janë shpenzuar vetëm për mbrojtjen e z. Thaçi.
“Për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar gjithsej 5,353,301.02 euro, ndërsa pagesat do të vazhdojnë të realizohen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet ekzistuese,” ka shtuar MD.
Ministria ka theksuar përkushtimin për garantimin e një procesi të drejtë dhe të balancuar, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme juridike në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.