Kosova

Behrami akuzon Haxhiun për refuzimin e kërkesave të Fondacionit për mbrojtjen e Thaçit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka hedhur akuza të ashpra ndaj ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për refuzimin e kërkesave të Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”.

Në një reagim në Facebook, Behrami deklaroi se Fondacioni ka paraqitur disa herë kërkesë për mbështetje financiare në Ministrinë e Drejtësisë për mbrojtjen juridike të ish-presidentit Thaçi, i cili po përballet me akuzat në Gjykatën Speciale. Sipas tij, Haxhiu i ka refuzuar të gjitha kërkesat.

Behrami ka kritikuar edhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për këto kërkesa dhe duke ironizuar se, në botëkuptimin e tij dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, UÇK-ja shihet si “një organizatë mercenarësh”.

“Ata janë shumë zemërgjerë kur bëhet fjalë për familjarët e Fitore Pacollit dhe aktivë në amnistimin e oligarkëve të ndryshëm, por për UÇK-në nuk kanë as para, e as fjalë të mira, madje as në fazën më vendimtare të procesit në Hagë,” shkroi Behrami.

Deputeti i PDK-së përfundoi deklaratën e tij duke theksuar se, sipas tij, përpjekjet për të rishkruar historinë do të dështojnë: “Me dhe pa mbështetje, ju dhe Gjykata Speciale betejën për ndërrim të historisë keni me humbë!”

Ministria e Drejtësisë ende nuk ka reaguar lidhur me këto akuza.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button