Avni Arifi: Shteti drejt kolapsit, Gjykata Kushtetuese po keqinterpretohet

Opinionisti Avni Arifi ka ngritur alarmin për gjendjen politike në vend, duke thënë se shteti është në rrezik të kolapsit për shkak të keqinterpretimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një deklaratë për Klan Kosova, Arifi ka theksuar se vendimi i Kushtetueses nuk duhet reduktuar vetëm në afatin 30-ditor për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, por ka theksuar se ai kërkon konsensus politik.
“Presidentja faktikisht paska thënë se shteti është duke shku drejt kolapsit,” u shpreh Arifi.
Ai shtoi se nuk është problemi te Gjykata Kushtetuese, por te mënyra si po interpretohet vendimi i saj:
“Është krijuar përshtypja se Gjykata Kushtetuese ka thënë veç: ‘I keni 30 ditë; edhe qekaq’. Jo-jo. Lexojeni mirë vendimin. Gjykata ka thënë se duhet me konsensus dhe me pasë kandidat konsensual.”
Arifi kritikoi edhe qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se partia po insiston në emra të diskutueshëm për postin e kryeparlamentarit:
“Vetëvendosje po thotë që duhet me pasë konsensus që me zgjedhë ‘Lenen’ [Albulena Haxhiun]. Unë mundem mos me u pajtu. Por shteti është duke kolapsu. Albin [Kurti] është i interesuar me kolapsu shtetin.”
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur kriza institucionale ka përfshirë vendin, pas mungesës së marrëveshjes për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit brenda afatit kushtetues.