LDK: Nëse fituesi nuk konstituon Kuvendin, e drejta duhet t’i kalojë partive të tjera

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në rast se partia fituese nuk e shfrytëzon të drejtën kushtetuese për konstituimin e Kuvendit brenda afatit të caktuar, atëherë kjo e drejtë duhet t’u kalojë partive të tjera.
Abdixhiku, në një deklaratë për Gazetën Express, theksoi se vendimi për rrjedhën e mëtejshme pas përfundimit të afatit 30-ditor, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, i takon sërish kësaj gjykate.
“Në këtë fazë, LDK beson që i ka takuar e drejta dhe përgjegjësia për të bërë shumicë, siç e thotë aktgjykimi i Kushtetueses. Nëse i pari për 30 ditë s’arrin ta përmbushë këtë të drejtë, do të ishte e logjikshme, sikurse në rastin e qeverisë, që dikush tjetër të provojë të bëjë një gjë të tillë”, tha Abdixhiku.
Ai nënvizoi se nuk mund të pritet pafund që një subjekt të formojë institucionet, ndërkohë që nuk ndërmerr asnjë hap për të ndërtuar një shumicë. Sipas tij, kur fituesi nuk arrin të gjejë konsensus politik, duhet t’i hiqet e drejta për ta bërë këtë.
Lideri i LDK-së theksoi po ashtu se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të devijojë nga kapitulli i kompetencave të presidentes.
“Presidentja ka kompetencat e caktuara dhe nuk shohim arsye që këto kompetenca të zgjerohen apo reduktohen në këtë drejtim. Do të jemi të vëmendshëm ndaj vendimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. E mirëpresim këtë akt dhe presim qartësi,” tha ai.
Abdixhiku përfundoi se rruga drejt formimit të institucioneve kalon përmes marrëveshjeve politike.
“Mirëserdhët në demokraci! Kështu bëhen institucionet – me marrëveshje politike. I pari nuk ka dashur marrëveshje, ka vendosur për një proces votimi jokushtetues dhe ka shpenzuar 30 ditë. Tani i takon Kushtetueses të vlerësojë se çfarë ndodh tutje”, përfundoi ai.