Kosova

Rashit Qalaj kritikon kërkesën e presidentes për masë të përkohshme: “I jep kohë VV-së të bllokojë institucionet”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka reaguar ndaj kërkesës së presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e mundësisë së vendosjes së një mase të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.

Qalaj e ka quajtur këtë veprim të gabuar, duke theksuar se masa e përkohshme i jep kohë fitueses së zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, të vazhdojë me bllokimin e procesit institucional.

“Unë po flas personalisht, mendoj që kërkesa për masë të përkohshme është e gabuar, sepse i jep kohë partisë që ka fituar më shumë ulëse, VV-së, që të vazhdojë me bllokimin e institucioneve të Kosovës, bllokimin e zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit. Mendoj që është e gabuar,” tha Qalaj.

Deputeti i PDK-së gjithashtu kritikoi kohën kur presidentja ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një veprim i tillë është dashur të ndodhte shumë më herët.

“Presidentja është dashur shumë më herët t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, pasi që kemi kaluar një kohë shumë të gjatë. Kemi humbur muaj të tërë dhe ende nuk po arrijmë të gjejmë një zgjidhje,” shtoi ai.

Reagimi i Qalajt vjen në një kohë kur vendi ndodhet në një ngërç institucional, dhe partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button