Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kërkojnë qasje në aktgjykimin konfidencial ndaj Pjetër Shalës

Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka dorëzuar një kërkesë urgjente për të pasur qasje në aktgjykimin konfidencial të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara ndaj Pjetër Shalës. Kërkesa është dorëzuar më 22 korrik 2025 dhe synon përfitimin e informatave që, sipas mbrojtjes, janë të rëndësishme për lehtësimin e procesit gjyqësor ndaj katërshes së ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, mbrojtja argumenton se ekziston një qëllim i ligjshëm hetimor për të pasur qasje në këtë dokument dhe se krimet për të cilat është dënuar Shala janë identike, në aspektin kohor dhe gjeografik, me ato për të cilat akuzohen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi. Sipas tyre, të dy rastet përfshijnë periudhën nga marsi 1998 deri në shtator 1999 dhe kanë të bëjnë me konfliktin e armatosur në Kosovë.
Në kërkesë thuhet se aktgjykimi i Apelit ndaj Shalës do të ndihmonte veçanërisht për përgatitjen e përmbledhjes përfundimtare të gjykimit. Mbrojtja thekson se tashmë ka qasje në versionin konfidencial të aktgjykimit të shkallës së parë dhe nuk ka asnjë arsye ligjore për ta ndaluar qasjen në vendimin e Apelit. Ato gjithashtu kanë garantuar se çdo pjesë konfidenciale e përdorur nga aktgjykimi i Shalës do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.
Po ashtu, mbrojtja ka theksuar se përfaqësuesi i viktimave ka pranuar se disa çështje të rëndësishme që lidhen me procedurat ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë adresuar tashmë në çështjen ndaj Shalës.
Një kërkesë e ngjashme ishte dorëzuar edhe më 17 korrik 2025, por trupi gjykues e kishte udhëzuar mbrojtjen që t’i drejtohej Panelit të Apelit.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave, ndërsa mbrojtja kishte dorëzuar një kërkesë sipas Rregullës 130, për të rrëzuar akuzat që lidhen me ngjarjet para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999. Kjo kërkesë ishte refuzuar nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, me arsyetimin se nuk bëhet fjalë për akuza brenda kuptimit të Rregullës 130.
Në të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e saj përmes dy dëshmitareve eksperte, të cilat dëshmuan më 16 dhe 17 korrik 2025, duke përmbyllur kështu fazën e dëshmive nga pala e viktimave.
Aktakuza e fundit e ndryshuar ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është dorëzuar më 30 shtator 2022, duke përfshirë gjithsej dhjetë pika që i ngarkojnë me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre fillestare në nëntor të vitit 2020.
Procesi ndaj katërshes së UÇK-së vazhdon të jetë një nga më të ndjekurit në Dhomat e Specializuara në Hagë.