KRU apel për kursim uji: Rritje e kërkesës dhe inspektime ndaj keqpërdorimeve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRU) ka bërë thirrje për përdorim të kujdesshëm dhe racional të ujit të pijshëm, duke theksuar se rezervat po zvogëlohen për shkak të konsumit të pakontrolluar.
Në një njoftim për media, kompania ka sqaruar se kursimi i ujit është thelbësor për të garantuar furnizim të mjaftueshëm në të ardhmen, sidomos në kushtet aktuale kur kërkesat për ujë të pijshëm janë në rritje të vazhdueshme.
“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por uji duhet kursyer pikë për pikë! Vetëm kështu sigurojmë sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm për të ardhmen”, thuhet në reagim.
KRUP njofton se po monitoron nga afër situatën në terren, si në zona urbane ashtu edhe rurale, për të identifikuar raste të përdorimit të paligjshëm dhe keqpërdorimeve të ujit.
“Nga ju kërkojmë shpenzim racional të ujit, ndërsa ne jemi duke inspektuar terrenin për kyçje ilegale dhe keqpërdorime të ujit”, përfundon njoftimi.