Afati i Kushtetueses drejt fundit, paraliza politike vazhdon – Pallaska: VV po e ushtron të drejtën në mënyrë të papërgjegjshme

Fundi i afatit 30-ditësh të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po afrohet, ndërsa vendi vazhdon të mbetet në një ngërç politik.
Njohësi i çështjeve juridike, Dastid Pallaska, në një intervistë për Gazeta10 ka paralajmëruar se mund të ketë zhvillime të reja nëse situata vazhdon të mbetet e pandryshuar.
“E drejta po ushtrohet çdo 48 orë, por po ushtrohet në kundërshtim me qëllimin e kësaj të drejte”, tha Pallaska, duke nënkuptuar mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje po menaxhon të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Sipas tij, nëse Vetëvendosja dështon të zgjedh kryetarin edhe brenda këtij afati kushtetues, atëherë ka gjasa të mëdha që Gjykata Kushtetuese të refuzojë kërkesën e saj për anulimin e vendimit të Kuvendit.
“Ekziston probabiliteti shumë i lartë që Gjykata Kushtetuese do ta refuzojë kërkesën e VV-së për anulimin e vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit, për arsye se VV-ja, edhe pse e pati të drejtën, e ushtroi në mënyrë të papërgjegjshme”, deklaroi ai.
Në këtë situatë, Pallaska shton se nëse një parti opozitare ka nominuar një kandidat tjetër, ai mund të mbijetojë si alternativë legjitime dhe Kuvendi të vazhdojë me konstituimin.
Kujtojmë se vendi ndodhet në një krizë institucionale që nga zgjedhjet e fundit, me pamundësinë për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar institucionet e reja.