Kosova

Visar Ymeri kritikon Vjosa Osmanin pas debatit me Richard Grenell: “Nëse ke nevojë të sqarosh, s’e ke menduar mirë çka ke thënë”

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka komentuar përplasjen publike mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish-emisarit amerikan, Richard Grenell, pas deklaratave të Osmanit në Shtetet e Bashkuara lidhur me tensionet Kosovë–Serbi.

Sipas Ymerit, nevoja e Presidentes për të sqaruar më vonë atë që kishte deklaruar në SHBA tregon një mungesë serioze në nivelin e komunikimit politik të përfaqësuesve institucionalë të vendit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës e bën një deklarim publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një debat në një prej instituteve atje, edhe pastaj këtë deklarim publik ka nevojë me ardh me spjegu në Kosovë – çka ka dashtë me thanë. Qikjo është në vete problem,” tha Ymeri.

Ai theksoi se liderët politikë, veçanërisht ata që flasin në emër të shtetit në skenën ndërkombëtare, duhet të jenë të qartë, të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm për peshën e fjalës së tyre.

“Na ish dashtë me pas liderë politikë që kur dalin në publik dhe flasin, e dinë çka po flasin dhe e dinë qëllimin pse po e thonë atë që po e thonë. Edhe nëse ti ke nevojë pastaj me shpjegu: ‘jo unë e thashë kështu, jo e mendova kështu’, dmth që s’e paske mendu çka ke dashtë me thanë – dhe kjo është problem i madh,” shtoi ai.

Debati u shkaktua pas një deklarate të Osmanit gjatë një diskutimi në SHBA, që u komentua më pas si e paqartë dhe që nxiti reagimin e Grenellit, ndërsa Presidentja u detyrua të japë sqarime për të.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button