Kosova

Reçica i PDK-së skeptik për marrëveshje Kurti–Limaj, PDK-ja nuk ndahet për votimin e kryeparlamentarit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, shpreh skepticizëm për mundësinë e arritjes së marrëveshjes mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Nismës, Fatmir Limaj, për pozicionin e kryetarit të Kuvendit. Ai tha se Kurti nuk do ta “lëshojë pozitën e kryetarit të Kuvendit aq lehtë” dhe se PDK-ja do të diskutojë së bashku në grupin parlamentar nëse propozohet Limaj.

“Unë pak besoj se do të ketë marrëveshje duke e njohur Albin Kurtin dhe jam shumë skeptik kur të realizohet marrëveshja. Ulem si grup parlamentar, diskutojmë dhe marrim vendime. Ka goxha problem me dhënë kryetarin e Kuvendit i një partie që nuk është e tij,” tha Reçica.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, mohoi ekzistencën e ndarjeve brenda grupit të deputetëve lidhur me votimin e mundshëm për Limajn si kryeparlamentar. Ajo tha se qëndrimi i saj personal është i njëjtë me atë të partisë dhe theksoi rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës.

“Qëndrimi im personal është qëndrim i partisë Demokratike të Kosovës. Nuk është PDK-ja e ndarë në asnjë qëndrim që e kemi pasur deri tani. E rëndësishme është që Kosova t’i ketë institucionet e saj dhe kryeministri në largim të marrë një herë e përgjithmonë vendim që t’i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja,” tha Deliu Kodra.

Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Fadil Nura, tha se PDK-ja mund ta votojë Fatmir Limajn për kryeparlamentar, duke vënë theksin te interesimi i partisë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button