Kosova

Përparim Rama: Komuna e Prishtinës ndërmerr hapa ligjorë ndaj dy ministrave për bllokimin e buxhetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna ka ndërmarrë hapa ligjorë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe atij të Kulturës, Hajrulla Çeku, për siç tha ai, bllokimin e qëllimshëm të zhvillimit të kryeqytetit dhe të buxhetit për vitin 2025.

“Po, kemi ndërmarrë hapa ligjorë për ministrin e Financave edhe për ministrin e Kulturës. Jemi në proces dhe do t’ju lajmërojmë edhe për hapat me radhë”, deklaroi Rama për Ekonomia Online.

Ai akuzoi nivelin qendror për përpjekje të vazhdueshme për të bllokuar projektet zhvillimore në Prishtinë, madje edhe për veprime që i konsideron joligjore. “Na thoshin se ju po ëndërroni, se nuk është këtu Dubai. Por kur ne e realizuam vizionin dhe i tenderuam projektet, filluan që të na bllokojnë edhe në mënyra joligjore”, shtoi ai.

Sipas Ramës, megjithëse buxheti i Komunës u miratua më 9 dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal, Qeveria nuk ka bërë ende alokimin e mjeteve, duke sjellë sfida të mëdha financiare për kryeqytetin. Ai tha se justifikimi i dhënë nga Ministria e Financave ka qenë mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për më tepër, Rama theksoi se edhe fondet e buxhetit të vitit 2024 nuk janë duke u alokuar siç është e paraparë me ligj, gjë që po shkakton probleme me kontratat ekzistuese dhe pagesat ndaj kompanive të angazhuara. “Këto kompani kanë ndërmarrë masa përmbarimore, duke rritur koston për komunën dhe duke dëmtuar vijat buxhetore për projekte kyçe”, tha ai.

Ai kritikoi edhe opozitën në Kuvendin Komunal, sidomos Lëvizjen Vetëvendosje, për bllokimin e buxhetit. “VV-ja e ka bllokuar buxhetin e kryeqytetit që nga viti i kaluar”, u shpreh Rama.

Në fund, kreu i Prishtinës tha se qytetarët më të varfër janë ata që po vuajnë më së shumti nga kjo situatë, për shkak të ndërhyrjeve të Ministrisë së Financave në fondet e subvencioneve sociale. “Qasja e Ministrisë na ka pamundësuar që të ndihmojmë qytetarët në nevojë. Kjo është e paskrupullt dhe e papranueshme”, përfundoi Rama.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button