Kosova

Kapiteni i FSK-së, Shkëlqim Raci, nderohet me çmim të lartë në SHBA

Kapiten Shkëlqim Raci, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera Kursin e Karrierës për Kapiten në fushën e Logjistikës, në njërin nga institucionet më prestigjioze ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Army Sustainment University në Fort Lee, Virxhinia.

Përkushtimi dhe profesionalizmi i Kapiten Racit u vlerësuan lart nga stafi akademik, duke e nderuar atë me çmimin e veçantë “Distinguished International Honor Graduate”. Ky është një vlerësim elitar që i jepet vetëm studentëve ndërkombëtarë që arrijnë rezultate të jashtëzakonshme akademike dhe tregojnë standarde të larta profesionale gjatë trajnimit.

“Ky sukses i Kapiten Racit përbën dëshmi të përkushtimit, profesionalizmit dhe standardeve të larta që përfaqësojnë pjesëtarët e FSK-së në arenën ndërkombëtare,” thuhet në njoftimin zyrtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky është një tjetër tregues i nivelit të përgatitjes dhe reputacionit që po ndërtojnë pjesëtarët e FSK-së në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button