Arrestohen dy persona në Kërçovë, droga fshihej në pusetë para shtëpisë

Dy persona janë arrestuar nga policia në Kërçovë nën dyshimin për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, E.P. (30) dhe A.P. (60), të dy nga Kërçova, janë ndaluar të mërkurën pasdite në ora 17:00 nga zyrtarët e Zyrës së Jashtme për Çështje Kriminale në Kërçovë.
Arrestimi u krye gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tyre, me urdhër të Gjykatës Themelore të Kërçovës. Gjatë kontrollit, në banesë është gjetur një qese me substancë të dyshuar si pluhur narkotik dhe një peshore digjitale.
Policia njofton se pjesa më e madhe e drogës ishte fshehur në një pusetë përpara shtëpisë. Aty janë gjetur dhe konfiskuar 51 paketime të vogla me substancë pluhur dhe dy paketime më të mëdha me substancë të bardhë në formë të ngurtë.
Të dy personat janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa ndaj tyre pritet të ngrihet kallëzim penal pas dokumentimit të plotë të rastit.