Dëshmitari: Sefer Ejupi ishte i rrahur rëndë – Gjykimi për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës vazhdon

Në gjykimin për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës, dëshmitari Murat Haxhia deklaroi se kishte ndihmuar për të shëruar Sefer Ejupin, një nga të arrestuarit gjatë luftës, pasi ky i fundit kishte marrë plagë të rënda nga dhuna që kishte përjetuar në burgun e Prizrenit.
“E kemi shti në grup dhe qepë dhe postoqi (batanije) dhe e kemi mbajt nja dhjetë ditë,” tha Haxhia në dëshminë e tij, duke treguar për trajtimin që i kishin bërë Ejupit pas torturës që kishte përjetuar.
Haxhia, i cili në kohën e luftës kishte punuar në ngrohtoren e Stacionit Policor dhe të burgut në Prizren, tha se Ejupi ishte sjellë për të punuar në ngrohtore, por kishte qenë i rrahur pothuajse në të gjitha pjesët e trupit. Megjithatë, dëshmitari sqaroi se personalisht nuk e kishte parë kush e kishte rrahur Ejupin dhe se nuk e kishte pyetur për këtë.
Ai konfirmoi se e njihte të akuzuarin Shaqir Lutvija si polic dhe e kishte parë të uniformuar në ambientet e ngrohtores. Po ashtu, tha se e kishte parë Lutvijën bashkë me një zyrtar tjetër policor, Abaz Zeqiri.
Me përfundimin e dëshmisë së Haxhiut, seanca e planifikuar për të martën përfundoi. Gjykatësi i rastit, Kujtim Krasniqi, bëri të ditur se dëshmitarët Qemajl Kollari dhe Arsim Zyba ndodhen jashtë vendit, por gjykata do të bëjë përpjekje për sigurimin e pranisë së tyre fizike për dëshmitë e radhës.
Në seancën fillestare më 17 shtator 2024, Lutvija ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i ngarkohen.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Shaqir Lutvija akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor të Prizrenit, gjatë viteve 1998-1999, ka marrë pjesë në krime të rënda kundër popullatës civile shqiptare. Ai dyshohet se bashkë me forca të tjera policore serbe ka marrë pjesë në arrestime masive, rrahje, tortura, dhe trajtime çnjerëzore të civilëve shqiptarë.
Në mesin e të dëmtuarve përmenden shumë emra të njohur për drejtësinë, përfshirë Murat Kabashin, Elmi Gashin, Sefer Ejupin, dhe të tjerë. Aktakuza ngre pretendime se viktimat janë rrahur me mjete të forta dhe janë torturuar me rrymë elektrike, përfshirë vendosjen e saj në organet gjenitale. Si pasojë, një nga të arrestuarit, R.J., kishte ndërruar jetë, ndërsa të tjerët kishin pësuar lëndime serioze trupore.
Lutvija akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” sipas nenit 142 në lidhje me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
Procesi gjyqësor do të vazhdojë me seanca të reja në përpjekje për të ndriçuar rolin e të akuzuarit në këto ngjarje të rënda që lidhen me luftën në Kosovë.