Eliza Hoxha kritikon bllokimin e Kuvendit: “Na ndalni mikrofonin, por zërin tonë kurrë”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të seancës konstituive të Kuvendit, pasi i është ndërprerë fjala në foltore nga kryesuesi Avni Dehari.
“PDK iu fton që ta respektoni betimin e deputetit…”, arriti të thotë Hoxha, përpara se Dehari të urdhëronte ndalimin e mikrofonit, duke deklaruar se “nuk ka vend për debat”.
Megjithatë, deputetja nuk u tërhoq. Ajo iu drejtua kamerave me fjalimin e saj të përgatitur, të cilin nuk kishte mundur ta lexonte në sallën plenare.
“Mos e shkelni betimin e dhënë të deputetit. Jeni betuar ta ruani kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë. Respektojeni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kthehuni në rendin e ditës. Kosova nuk mund të mbahet peng për një emër, as për një komision për votim të fshehtë”, deklaroi Hoxha.
Ajo kërkoi nga deputetët që të sillen me përgjegjësi dhe të mos e cenojnë demokracinë e vendit.
“Ju lutem thirrni arsyes. Mos e cenoni demokracinë. Mos e mbani peng Kosovën. Ju edhe mundeni me na e ndal mikrofonin… por zanin tonë nuk mundeni me e ndal asnjëherë”, përfundoi Hoxha.
Seanca e sotme është e 47-ta me radhë që dështon të konstituojë Kuvendin e Kosovës, për shkak të mungesës së dakordimit ndërmjet partive politike për themelimin e komisionit të votimit të fshehtë.