Arbnora Salihu: Kuvendi është kthyer në zyrë private të Albin Kurtit, shteti po mbahet peng

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arbnora Salihu, ka reaguar ashpër ndaj dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si një “pengmarrje politike”, raporton Ekonomia Online.
“Sot jemi këtu për të parë për herë të 47-të shembullin tipik se si mbahet peng shteti. A është ky Kuvendi i Kosovës apo zyra private e Albin Kurtit?”, deklaroi Salihu para mediave.
Ajo kritikoi ashpër mënyrën se si po menaxhohet procesi i konstituimit, duke theksuar se Kosova, si një vend që aspiron anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KE), Bashkimin Evropian (BE) dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), nuk arrin as të funksionalizojë institucionin më të lartë legjislativ.
“Kush do ta besonte se një shtet që aspiron të bëhet anëtare e KE, BE e OKB, nuk arrin as ta konstituojë Kuvendin e vet dhe po mbahet peng, sepse një njeri ka frikë nga humbja”, theksoi ajo.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ka dështuar për të 47-tën herë, ndërsa bllokada institucionale po zgjat tashmë prej disa javësh, me pasoja të mëdha për funksionimin demokratik të shtetit.