Kosova

Viti 2025, i dështuar në aspektin legjislativ – Mbi 35 projektligje mbesin pezull për shkak të bllokadës në Kuvend

Më shumë se 35 projektligje, që sipas Programit të Projektligjeve të Qeverisë për periudhën 2025-2027 do të duhej të ishin miratuar nga Qeveria dhe proceduar për shqyrtim në Kuvend deri më 30 qershor, kanë mbetur pezull për shkak të bllokadës institucionale që vazhdon tashmë në muajin e shtatë të këtij viti.

Përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës vlerësojnë se viti 2025 veçse mund të konsiderohet i dështuar në aspektin legjislativ dhe atë të mbikëqyrjes parlamentare.

“Ne tashmë jemi vonë në shqyrtim të planit legjislativ, qoftë të asaj qeverie që është në skadim, por edhe të ndonjë qeverie që hipotetikisht mund të vije pas themelimit të Kuvendit. Normalisht që pasojat janë të mëdha. Kurdo që zgjidhet kryetari dhe konstituohet Kuvendi, për mendimin tim, viti 2025 është vit i dështuar edhe në kuptimin legjislativ dhe në kuptimin mbikëqyrës”, deklaroi Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Mes projektligjeve që duhej të miratoheshin janë: Ligji i Punës, Kodi Civil, Ligji për Këshillin Gjyqësor dhe ai për Këshillin Prokurorial, Ligji për Avokatinë, për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe projektligjet për sektorin e energjisë dhe energjisë elektrike.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), bllokimi i konstituimit të legjislaturës së re dhe rrjedhimisht i Qeverisë së re, ka pasoja direkte në jetën e qytetarëve.

“Nëse qeveria aktuale rikthehet pas zgjedhjeve, projektligjet mund të procedohen më tej. Por nëse vjen një qeveri tjetër, shumë lehtë ato mund të mos procedohen. Pasojat janë të mëdha, sepse janë edhe mbi 10 marrëveshje ndërkombëtare që presin të ratifikohen”, u shpreh Melos Kolshi, hulumtues i lartë në IKD.

Në mesin e çështjeve të rëndësishme që kanë mbetur pezull, përmenden Kodi Civil dhe amendamentet kushtetuese për procesin e vettingut në drejtësi – dy procese të rëndësishme që janë bartur nga legjislatura e kaluar.

“Kur Kuvendi nuk funksionon dhe nuk e ushtron mandatin e tij për hartim, shqyrtim dhe miratim të ligjeve, atëherë e gjithë jeta parlamentare dhe demokratike në vend mbetet e paralizuar. Dhe në këtë situatë, qytetarët janë ata që pësojnë më së shumti”, përfundon Bugaqku nga KDI.

Vendimet e fundit të Kuvendit datojnë nga dhjetori i vitit të kaluar, shumica e të cilave tashmë janë kontestuar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button