Lajme

22 vatra zjarri në 24 orë – 5 ende aktive, 1 nën monitorim

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri në disa bashki të vendit, prej të cilave 5 mbeten ende aktive dhe 1 është nën monitorim. Vatrat janë evidentuar në bashkitë Dibër, Bulqizë, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Selenicë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mallakastër dhe Mirditë.

Situata më e rënduar paraqitet në:

Qarku Dibër: Në zonën “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, po vazhdohet puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me pisha dhe livadh. Ndërkohë, është riaktivizuar një vatër në malin e Peladhisë në Bulqizë, që po përhapet drejt “Majës së Vlashës”. Pavarësisht ndërhyrjes së 8 efektivëve të MZSH Bulqizë, zjarri mbetet jashtë kontrollit. Në fshatin Sinë e Sipërme të Dibrës, po punohet për fikjen e një zjarri në pyll me dushqe ku janë djegur rreth 4 ha.

Qarku Tiranë (Rrogozhinë): Zjarri i nisur më 10 korrik në fshatin Zambishë është përhapur në disa fshatra të tjerë dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me pyje dhe ullishte. Mbrëmë ndërhyrja ajrore me dy helikopterë të FA-së ndihmoi në shuarjen e disa vatrave. Janë djegur rreth 80–90 hektarë shkurre dhe mbi 70 rrënjë ullinj.

Qarku Fier (Mallakastër): Në fshatin Drenovë, është djegur një sipërfaqe prej 2.5 ha dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Zjarri është riaktivizuar sot dhe strukturat zjarrfikëse janë në terren.

Vatra në monitorim:

Qarku Elbasan (Librazhd): Në zonën “Mal Plak”, zjarri ka intensitet të ulët dhe mbetet nën monitorim nga autoritetet.

Sipas raportit, në total janë djegur mbi 107 hektarë shkurre dhe bimësi si dhe rreth 100 rrënjë ullinj. Në Malësi të Madhe janë dëmtuar edhe 3 objekte për bagëti.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 25 automjete zjarrfikëse, 305 forca operacionale dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura me dy helikopterë.

Rreziku për zjarre mbetet i lartë

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të lokalizuara në Shkodër, Kukës dhe Dibër, por rreziku për zjarre në pyje mbetet “i lartë” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. Rreziku parashikohet të rritet edhe më shumë nesër.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të njoftojnë menjëherë për çdo zjarr të konstatuar në terren. Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në gadishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button