Kosova

Ngërçi politik në Kosovë rrezikon krizë buxhetore dhe vonesa në projekte kyçe

Ngërçi politik që po bllokon funksionimin e Kuvendit të Kosovës ka vënë në rrezik serioz buxhetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Mungesa e rishikimit të buxhetit për vitin 2025 mund të lërë pa financim projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe të vonojë përgatitjen e buxhetit të vitit 2026, nëse nuk zhbllokohet shpejt situata politike, raporton KosovaPress.

Në koalicionin LVV-Guxo-Alternativa akuzojnë partitë opozitare për qasjen bllokuese që po shkakton humbje ekonomike. Nëse bllokada vazhdon, projektet kryesore të infrastrukturës, subvencionet dhe pagesat për sektorin publik mund të ndërpriten, duke ndikuar direkt në jetën e qytetarëve.

Rishikimi i buxhetit për vitin 2025 është i lidhur me miratimin e buxheteve të tri komunave – Prishtinës, Gjilanit dhe Zveçanit – të cilat ende nuk e kanë miratuar buxhetin në kohë. Agjencitë buxhetore janë në pritje të rishikimit formal për të realizuar kërkesat e tyre për fonde shtesë.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk ka dhënë ende një përgjigje lidhur me këtë situatë. Ndërsa, deputetja dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, thotë se kërkesat buxhetore janë në proces trajtimi, por shton se miratimi i buxhetit të vitit 2026 varet drejtpërdrejt nga konstituimi i Kuvendit.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thekson se pasojat e moskonstituimit të Kuvendit janë tashmë të dukshme dhe shteti po humb kohë kritike për menaxhimin e fondeve dhe realizimin e projekteve.

Eksperti për ekonomi, Lekë Musa, paralajmëron se vonesat në miratimin e buxhetit po dëmtojnë rëndë investimet dhe infrastrukturën, duke shtuar se fondet për shërbime publike dhe subvencione po vonohen në mënyrë të papranueshme.

Në nëntor të vitit 2024, Kuvendi i Kosovës miratoi projektbuxhetin prej 3.6 miliardë eurosh për vitin 2025, ndërkohë që buxheti i vitit 2024 ishte 3.314 miliardë euro. Sidoqoftë, moskonstituimi i Kuvendit dhe mosformimi i qeverisë prej zgjedhjeve të 9 shkurtit po pengojnë proceset thelbësore financiare dhe zhvillimore në vend.

Për herë të 45-të, Kuvendi do të tentojë të premten të konstituohet, në përpjekje për të çuar përpara proceset shtetërore dhe buxhetore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button